Kushtetuta e re, nenet e koalicioneve dhe listat e hapura

Pas rreth 3 orësh diskutime, me 106 vota “pro”, Kuvendi ka miratuar ndryshimin e 2 neneve të Kushtetutës që flasin për zgjedhjet, duke lejuar kështu hapjen e listave të kandidatëve dhe ndryshimin e mënyrës së koalicioneve parazgjedhore.
Më poshtë ndryshimet kushtetuese nenet e koalicioneve dhe të lista të hapura.
Nenet që ndryshohen janë Neni 64 dhe Neni 68:
Neni 64 ndryshohet si vijon:
Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar.
Numri i mandateve të deputetëve që i takojnë çdo rajoni zgjedhor, përcaktohet në bazë të numrit të popullsisë në bazë të numrit të popullsisë së regjistruar në regjistrat shtetërorë. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë partitë që në rang vendi kanë fituar jo më pak se 5 për qind të votave të vlefshme.
Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë, përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumë-emërore, sipas përcaktimeve të ligjit për zgjedhjet.
Paragrafi 1 i Nenit 68 ndryshohet si vijon:
Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike dhe nga zgjedhësit. Nuk lejohen koalicionet parazgjedhore. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.