Flet Romeo Kara: “Karteli” Berisha pastron paratë nëpërmjet kredive, apartamentin tek ETC e përdori për aferën CEZ

Juristi dhe personi i vetëm që pati kurajon të denonconte skandalin me CEZ, Romeo Kara, në intervistën për Gazetën “SOT” ka folur mbi zhvillimet e fundit në vend. Ai është përballur disa herë në gjykatë me djalin e ish-kryeministrit Berisha.
Për këtë të fundit, ka pasur disa akuza në media dhe zoti Kara ka dhënë komentet e tij mbi to. Po ashtu ai ka folur dhe mbi dosjen CEZ, hetimet e së cilës janë mbyllur dhe në Çeki. Ai ka treguar se si vetë çekët i kanë kërkuar të tërhiqet.
-Zoti Kara, ju jeni ndër të paktët që jeni përballur me familjen Berisha. Keni përfunduar në disa procese gjyqësore me ta. Ditët e fundit disa media në vend, përfshirë dhe kreun e grupit të PS, kanë denoncuar Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit, se po investon në mënyrë të dyshimtë në Gërdec, pasi ka marrë 1.8 mln euro për të ngritur një fabrikë boronicash. Keni një koment?
Nga sa po lexojmë nga mediat, patjetër që e vlerësoj të dyshimte investimin e djalit të Saliut në Gërdec. Në dukje ka një mospërputhje të datave, të garancisë për kredinë e blerjes së aseteve të paluajtshme si dhe të investimit të blerjes së makinerive. Akoma nuk kam mësuar se cila është garancia për kredinë me anë të të cilës janë blerë makineritë, pasi në dukje kemi të bëjmë me dy blerje. Ky është opinioni im me atë çfarë lexoj nga mediat. Nuk shihet qartë se si do të paguhet kësti i kësaj kredie dhe cilat janë garancitë ligjore për bankën që ka lëshuar kredinë, lidhur me kthimin mbrapsht të këtij investimi. Megjithatë unë vlerësoj me tepër atë që bie në sy, përdorimin e kredive të shpeshta nga djali i Saliut për të blerë e shitur prona.
Duke qenë se e njoh mirë këtë fushe, pasi edhe jam edhe lektor i saj, këshilloj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në përdorimin e kredive prej pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve. Kredia është shumë e rrezikshme dhe në mjaft raste edhe vetëvrasëse. Një miku im drejtor i një banke në Shqipëri e cilëson kredinë si të: frikshme. Pra, është shumë e rrezikshme marrja e kredisë, nëse nuk ke garanci për pagimin e saj. Si shpjegohet që është rritur numri i kredive që marrin politikanët tanë dhe familjaret e tyre sapo hipin në karrige apo pasi zbresin prej saj? A po përdoret instrumenti i kredisë si mjet për pastrimin e parave të tyre të pista të korrupsionit dhe trafikut?
Unë kam mendimin e patundur se shumica e tyre, për këtë qëllim e ka përdorur kredinë. Komenti tjetër është që: prapë në Gërdec përfundoi i biri i Saliut? Nuk paska vend tjetër për shfaqjen e radhës? Gjithsesi mendoj se PS duhet të denoncojë edhe ministrat dhe ish-ministrat e saj që kanë marre kredi të tilla pasi erdhën në qeverisje, duke blerë shtëpi luksoze dhe duke rritur fiktivisht bizneset e tyre familjare. Nuk duhet të shohin vetëm traun në syrin e tjetrit.
-Një tjetër akuzë ka të bëjë me lëshimin me qera të një apartamenti? Ju keni përfunduar dhe në gjyq për këtë çështje. Si qëndron e vërteta e apartamentit te ETC dhe lidhja me CEZ sipas të dhënave që keni ju?
Në qershor 2017 në një status timin në FB, të cilin e ndjek me vëmendje karteli Berisha, kam deklaruar pak a shume se, ish drejtori i CEZ-Shpërndarje Jozef Hejsek ka banuar me qera në apartamentin e të birit të Saliut tek ETC. Edhe pse nuk ka asgjë ofenduese në deklarimin tim, edhe pse nuk ka asnjë akuze në këtë deklarim, përsëri i biri i Berishës, inicioi padinë e radhës për shpifje karshi meje, duke pretenduar se, kjo thënie e imja e ka lënduar shumë dinjitetin e tij. Këtë fakt unë e kam mësuar direkt nga goja e Hejsekut në fund të vitit 2010, përgjatë një takimi pune me të. Unë ofrova edhe dy dëshmitarë tepër të besueshëm në dijeni të këtij fakti, por gjykata e Saliut, qëllimisht ma la vetëm mua barrën e provës, prokurorinë e la vetëm të bëjë sehir dhe në përfundim dha një dënim të padrejtë përkundrejt meje. Tashmë unë mësoj nga media se, djali i Saliut e paska zotëruar atë apartament, të cilin ai e mohoi në gjykatë, e ka blere rreth 360 mije euro dhe me pas ia ka shitur një të njohuri të tij rreth 600 mije euro. Unë zotëroj disa pasqyra të deklarimeve të tij lidhur me këtë prone, për të cilën ai deklaron se e ka dhënë me qera mujore 4000 euro. Më pas dikush ka mbuluar emrin ETC në deklarime duke e lënë pronën të papërcaktuar si vendndodhje. Megjithatë unë kam arritur të zotëroj aktin e plote të shitjes se pronës si dhe emrin e noteres pranë së cilës është kryer ky akt. Me neveri pashe pafytyrësinë e këtij njeriu, që të merr peng nëpër gjykata me mashtrimet dhe makinacionet e tij, duke e marrë shumë lehtë përballjen me mua. Me neveri pashe gjykatën vegël të Saliut, që më dënoi për llogari të tij, bazuar në mashtrimet e tij. Me neveri kujtoj gjyqtarin servil Ardian Kalia dhe prokurorin vegël Agron Gjana. Nga Jozef Hejsek kam mësuar se ai ka banuar në atë apartament. Nga punonjës të CEZ-it kam mësuar se pagesat në përgjithësi të qerave paguheshin nëpërmjet CEZ-Albania e cila zotërohej 100/% nga çeket. CEZ-Albania është larguar përfundimisht së bashku me dokumentacionin e saj.
-Duke qenë se jemi te çështja e CEZ. Si e shihni që si Shkalla e Parë ashtu dhe Apeli e pushuan padinë tuaj dhe të Kuvendit?
Jo rastësisht kjo çështje u pushua dhe nuk u lejua qe të shkoje në gjykate. Një njeri me integritet, do ta kërkonte vetë përballimin në gjykatë dhe jo të fshihej pas manipulimit të procedurës. Përballja publike, midis Saliut dhe bandës se tij nga njëra anë dhe fakteve nga ana tjetër, padyshim që do ta sqaronte mirë pozicionin e tij, fajësinë apo pafajësinë e tij. Tashmë askujt nga politika nuk i duhet një Sali i fajësuar. E gjitha politika është zhytur në mut, prandaj ajo sheh tek dënimi i Saliut, këputjen e zinxhirit të maskarallëkut dhe parathënien e dënimit të saj. Tek dënimi i Saliut, tashmë qëndron sfida e vërtetë e drejtësisë, nyja gordiane për çlirimin nga krimi dhe korrupsioni. Saliu tashmë simbolizon të gjithë politikën 30-vjeçare./SHQIP