Të pakënaqur me vendimin e qeverisë, pronarët e pishinave paralajmërojnë bllokim të kufirit Kosovë-Shqipëri

Pronarët e pishinave në Kosovë janë mbledhur për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i mbyllur ato si masë parandaluese për shpërndarjen e COVID-19.
Teksa pishinat në Kosovë janë mbyllur si masë parandaluese për përhapjen e mëtejshme të Covid-19 duket se pronarët e tyre nuk janë aspak dakord. Madje ata janë mbledhur për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë kosovare.
Gjithashtu pronarët e pishinave kanë paralajmëruar se ditën e nesërme, ata do të mbajnë një protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për t’i shprehur pakënaqësitë për mbylljen e pishinave nga ana e Qeverisë.
Lajmin e ka bërë të ditur përfaqësuesi i të gjitha pishinave në Kosovë, Diamant Paçarizi. Ky i fundit është shprehur se në rast të injorimit nga ana e Qeverisë, ata do ta bllokojnë kufirin Kosovë-Shqipëri.
“Nesër në ora 14:00 pronarët e të gjitha pishinave në Kosovë do të organizojnë një protestë në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë (para Qeverisë) për t’i shprehur pakënaqësitë për mbylljen e pishinave nga ana e Qeverisë”, njoftojnë pronarët.
|Ftojmë Kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj që sonte më së largu deri në ora 20:00 në mbrëmje t’i ftojë në takim – në të kundërtën protestat janë të pashmangshme. Në rast të injorimit nga ana e Qeverisë, protestuesit paralajmërojnë një protestë në kufirin Kosovë-Shqipëri, ku do ta bllokojnë daljen e veturave”, kanë shtuar ata.
Madje pronarët e pishinave shprehen se çdo fundjavë vihet re një fluks i madh i makinave nga Kosova që udhëtojnë drejt Shqipërisë, dhe nuk respektohen as masat minimale kundër virusit.
“Ne posedojmë fotografi dhe video ku shihet fluks i madh në bregdetin shqiptar të datës 1 gusht, 2020. Në Polici kemi bërë kërkesë që ta zhvillojmë protestën, por nga që nuk po punon administrata sot, na thanë që kërkesën ta dorëzojmë të hënën në mëngjes”, kanë përfunduar ata.