Flakët ‘përpijnë’ pyjet nga veriu në jug! Zjarr masiv në Tepelenë, rrezikohen zonat e banuara! Vatra edhe në Gramsh Seman e Rubik

Zjarret përfshijnë të tjera sipërfaqe me pyje në vend. Këtë të diel një sipërfaqe pylli me pisha ka marrë flakë në Seman të Fierit në vendin e quajtur Godull. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat zjarrfikëse por vështirësohet mbajtja nën kontroll e flakëve për shkak të pranisë së madhe të shkurreve dhe ferrave që ndizen menjwrë edhe prej temperaturave të larta.
Në Gramsh në fshatin Siman, Mali i Koshicës është përfshirë nga zjarri, ku po digjen sipërfaqe me pisha. Zona është e vështirë e malore pengon ndërhyrjen e automjeteve të zjarrfikëses dhe e vetmja zgjidhje është ajo e ndërhyrjes në terren me mjete rrethanore.
Vatra e zjarrit është aktivizuar sërish edhe në fshatin Molung në Grykën e Qafë Thanës, mbi fshatin Katund i Vjetër në Rubik, ku një sipërfaqe e madhe me lis, shkozë dhe gështenja janë ‘përpirë’ nga flakët.
Të favorizuara nga era e fortë dhe terreni i vështirë, kjo vatër zjarri ka marrë sërish përmasa të frikshme duke djegur një sipërfaqes të madhe pyjore dhe po i afrohet banesave, ku një prej tyre ndodhet vetëm 300 metra larg nga flakët.
Nëse nuk bëhet ndërhyrja e shpejtë nga ajri dhe toka, dëmet e zjarrit do të jenë të pallogaritshme, duke rrezikuar edhe shtëpitë e banorëve.
Disa ditë më parë zjarri u vu nën kontroll dhe ishte drejt shuarjes , por duket se një vatër e vogël e mbetur është riaktivizuar sërish duke djegur sipërfaqe të mëdha pyjore.
Disa ditë më parë u dogjën me dhjetëra hektarë pyje nga Lezhë në Rubik duke lënë pas qindra kafshë e shpendë të ngordhur si dhe dhjetëra hektarë pyje të djegura.
Herën e fundit u deshëm më shumë se 3 orë ndërhyrje nga ajri i Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes për të vënë në kontroll flakët në pyllin e Molungut në Rublik, Mirditë. Vatra duket se është riaktivizuar dhe se terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrjen e zjarrfikëses.