Fillimgushti i mosmarrëveshjeve, provokacioneve dhe arratisjeve

E vërteta e prishjes nga komunistët të Marrëveshjes së Mukjes më 1943 dhe a ka qenë Kosova shkaku i saj. Flasin Marenglen Kasmi, Xhelal Gjeçovi, Uran Butka dhe Ilir Hoxha.

Si na sulmuan pabesisht grekët 1949. Një përshkrim i ambasadorit sovjetik në Tiranë, bilanci i viktimave dhe një fjalim i Enver Hoxhës para ushtarakëve në Gjirokastër.

Si dhe pse e “mësynë” shqiptarët më pas Greqinë. Historia e arratisjes së dy motrave nga Saranda në vitin 1984. Flasin Isabela Islami dhe Qemal Bregasi

Xhevdet Shehu

Le të fillojmë me marrëveshjen e Mukjes

Historiani Marenglen Kasmi ka treguar në DITA se si lindi ideja e Mbledhjes së Mukjes dhe si u prish ajo. Ai shkruan: Një rol vendimtar në krijimin përfundimtar të kampeve politiko-ushtarake në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore luan pa dyshim takimi i përfaqësuesve të Frontit Nacionalçlirimtar (FNÇ) dhe Ballit Kombëtar në Mukje, më 1-3 gusht 1943. Kësaj marrëveshje i paraprinë një sërë ngjarjesh të rëndësishme në planin botëror, siç ishte kalimi i forcave të Boshtit Qendror në mbrojtje në Stalingrad, zbarkimi aleat në Sicili në natën e 9 korrikut, rritja e mosbesimit të Commando Supremos ndaj elitës politike italiane si edhe shumë faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm që më 24 korrik 1943 çuan në rënien e Mussolinit dhe krijimin e qeverisë Badoglio.

Si pasojë, gjithë forcave politike shqiptare u duhej të rishikonin qëndrimin e tyre. Kësisoj, edhe Balli Kombëtar filloi të kërkonte negociata me palën tjetër. Ato pak luftime me karakter lokal të kryera nga disa çeta balliste u shfrytëzuan nga kjo organizatë për të hyrë bisedime me FNÇ, i cili kishte kohë që luftonte kundër pushtuesve italianë. Si negociator ndërmjet palëve shërbeu Abaz Kupi. Po ashtu, misioni britanik në Shqipëri këmbëngulte në një luftë të përbashkët të shqiptarëve kundër pushtuesve dhe ishin pikërisht britanikët që e morën nismën për këtë takim. Letërthirrja zyrtare për takimin u bë nga Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i cili në mbledhjen e tij të datës 9 korrik 1943 vendosi krijimin e një aleance politiko-ushtarake me Ballin Kombëtar. Nëpërmjet letërthirrjes së hartuar nga delegatët e tij, ky Këshill ftonte zyrtarisht organizatën e Ballit Kombëtar në një takim sa më të shpejtë e përfundimtar…

Prishja e njëanshme e Mukjes nga komunistët, nuk e justifikon Ballin Kombëtar nga përgjegjësia e dështimit politik dhe ushtarak. Lufta e Dytë Botërore ishte një provë për nacionalizmin shqiptar. Në mos po më seriozja. Kjo elitë nuk e mendoi asnjëherë që “fantazma e komunizmit që sillej nëpër Evropë” do të “bënte jatak” edhe në Shqipëri dhe, ky dështim, i gërshetuar me natyrën e këtij konflikti botëror dhe aleancat që u krijuan në të, rezultoi në favor të Enver Hoxhës.”

Historiani Xhelal Gjeçovi, e përmbledh me pak fjalë kështu thelbin e mbledhjes së Mukjes:

Në këto vitet e fundit janë bërë përpjekje të ethshme që Mukjes t`i jepen trajta e dimensione që realisht nuk i ka patur, duke e paraqitur si strumbullarin e gjithë zhvillimeve në vend, ndikimi i së cilës qenka ndjerë dhe në Kosovë, konkretisht në Konferencën e Bujanit, një ngjarje që s`ka fare lidhje me Mukjen, por këto lidhje shpiken e sajohen për ta zhvendosur ngjarjen, efektet e saj aty ku duan  ballistët. E megjithatë, një numër autorësh, këtu e në Kosovë, vazhdojnë “avazin e Mukjes”, me qarje e psherëtima, se gjasme në Mukje qenka përcaktuar fati i Kosovës, mosbashkimi me Shqipërinë, kur dhe vetë nuk e besojnë një gënjeshtër të tillë. Për t`i bërë të besueshme pretendimet për këtë çështje, risillen në vëmendje të opinionit tezat e përdorura me kohë nga Sadik Premtja, një figurë e njohur për qëndrimet kontroverse ndaj luftës e për konvertimin, e pazakontë, nga komunist në ballist. Sipas tij, “Mukja u prish për Kosovën” e “Kosova aty u tradhtua e u shit”, sikur të ishte dele, e tagrin për ta shitur ose jo, ta kishte Shqipëria. Unë përpiqem t`i kuptoj autorët që ende vazhdojnë të ushqehen me përralla të vjetra e të dala boje me kohë, me qëllim që të justifikojnë dështimet që paraardhësit e tyre pësuan, për fajin e tyre, në vitet e Luftës.

Uran Butka në librin e tij “Marrëveshja e Mukjes” (Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, 2018 ) shkruan ndër të tjera:

Kuvendi i Mukjes, ose siç u quajt në atë kohë “Lidhja e Mukajt”, për analogji me Lidhjen e Prizrenit (1878), u mblodh në datat 1-2 gusht të vitit 1943, në fund të pushtimit Italian dhe në prag të pushtimit gjerman të Shqiperisë, pra, në një moment kyç të historisë dhe arriti të bashkonte të dy anët antagoniste politike dhe ushtarake të asaj kohe, organizatën e Ballit Kombëtar dhe Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, duke prodhuar Marrëveshjen kombëtare të Mukjes, një nga më të rëndësishmet e më të veçanta në historinë moderne të Shqiperisë. Marrëveshja e Mukjes lindi si një nevojë për bashkëpunim mbarëkombëtar gjatë Luftës Antifashiste, për vetëmbrojtje e çlirim dhe për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore, siç u vendos atje. Marrëveshja e Mukjes është simbol i bashkimit, por edhe i ndarjes, i kompromisit historik, por edhe i mosmarrëveshjes, i unitetit kombëtar, por edhe i tradhtisë, i shansit historik, por edhe humbjes së këtij shansi, i fjalës së bekuar, por edhe i fjalës së mallkuar (siç u shkrua në atë kohë ), i luftës së përbashkët të të gjithë faktorëve politikë e ushtarakë shqiptarë kundër pushtuesve nazifashistë, por edhe të luftës civile brenda vetes, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes.

Ilir Hoxha gjatë një intervistë dhënë DITA-s në vitin 2014, thotë për Mukjen:

Mё 2 gusht 1943 u mblodh ajo qё njihet si ‘’Konferenca e Mukjes”. Kjo ndodhi pasi lёvizja nacional-ҫlirimtare kishte marrё njё hov tё madh dhe ishte shtrirё sё tepёrmi. Njё rol tё rёndёsishёm luajti Konferenca e Pezёs, nё shtator tё vitit 1942, e organizuar nga komunistёt shqiptarё, e cila bёri bashkimin e gjithё atyre qё donin tё luftonin fashizmin dhe hodhi themelet e Frontit NҪL, si edhe Konferenca e Labinotit, nё korrik tё vitit 1943, ku u krijua Shtabi i Pёrgjithshёm i Ushtrisё NҪL. Nё kёtё kohё repartet partizane gjёndeshin nga tё katёr anёt e vendit, ҫetat ishin shndёrruar nё batalione dhe nё gusht 1943 u krijua Brigada e Parё Sulmuese qё mё pas u pasua edhe nga brigada tё tjera. Ndёrkohё lёviznin vetёm tre a katёr ҫeta ballistёsh nё njё zonё shumё tё kufizuar, Kolonjё, Gramsh, Mallakastёr. Nё kёtё kohё edhe situata ndёrkombёtare ishte e favorshme. Nazi-fashistёt kishin marrё kudo goditje vdekjeprurёse. Nё kёto rrethana ҫёshtja e bashkimit tё tё gjitha forcave pёr tё luftuar pushtuesit ishte urgjente. Pёr kёtё qёllim Kёshilli i Pёrgjithshёm i Frontit u propozoi krerёve tё Ballit Kombёtar qё tё takoheshin pёrfaqёsues tё tё dy palёve. Delegacioni i Frontit NҪL kryesohej nga Ymer Dishnica dhe Mustafa Gjinishi, ndёrsa delegacionin e Ballit Kombёtar e kryesonte Mitat Frashёri. Detyra kryesore e delegacionit te Frontit NҪL ishte bashkimi i tё dy forcave nё luftё kundёr pushtuesit dhe pёr kёtё qёllim duhej tё angazhohej botёrisht dhe Balli Kombёtar. Ndёrsa pёrfaqёsuesit e Ballit kishin tё tjera qёllime. Ata donin qё pa hedhur asnjё pushkё, me shpresёn e ndihmёs sё anglo-amerikanёve, tё zinin vend kryesor nё pushtetin e ardhshёm. Delegacioni i Frontit NҪL nuk iu pёrmbajt detyrёs sё vet kryesore, bashkimit nё luftё, por iu nёnshtrua krejtёsisht kёrkesave tё Ballit. Pse Dokumenti u hodh poshtё nga Partia Komuniste Shqiptare, kuptohet qartazi nga njё letёr e Enver Hoxhёs drejtuar mё 9 gusht tё vitit 1943 kryetarit tё delegacionit tё Frontit NҪL, Y. Dishnica: “Nё Labinot tё ishte thёnё, si ty ashtu dhe Tafarit (Mustafa Gjinishit) se kompetenca juaj nuk shkonte deri nё kёtё pikё… Ju vetёm duhet tё bisedonit me Ballin, ta shtynit pёr njё bashkim konkret me ne; por ky bashkim nuk kryhet nё tryezё, por nё terren, nё luftё… Ti ke rёnё kokё e kёmbё nё pozitat e Ballit me kёtё fakt, ku flitet pёr Shqipёrinё etnike dhe nuk flitet aspak pёr luftёn kundёr fashizmit… Bashkimin e keni bёrё me kondita pariteti nё mes tё Ballit, qё ёshtё njё organizatё me njё numёr tё kufizuar njerёzish, dhe  Frontit Antifashist tё popullit. Me kёtё trakt, ju pranoni t’i hidhet njё perde tёrё sё kaluarёs dhe sё tashmes sё fёlliqur tё Ballit dhe ia hapni dyert, qё tё hyjё triumfalisht nё histori… .”

 

Provokacionet e 2 gushtit 1949

Mbi provokacionin e monarko – fashistëve grekë

Komunikatë Operative e Ministrisë së Forcave t’Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë. Data 3 Gusht 1949:

Forca Monarko-Fashiste të përbëra nga 3 bataljone të përforcuara me Artileri dhe të përkrahura nga 15 aeroplana “SPITFIRE”, më datën 2.5.1949 ora 5.00 sulmuan në befasi dhe tradhëtisht tokën tonë në sektorin e Bozhigradit piramida 54-55 me një front prej 700-800 metro gjerësi. Mbas shtatë orë luftimesh shumë të ashpra me repartet e rojës së kufirit të Divizionit të Mbrojtjes Popullit, mundën të hyjnë në thellësi të tokës s’onë deri 300-400 metro duke marrë kuotën 1309 dhe të rrahin me artileri katundin Vidohovë. Forcat t’ona në ora 18.30 sulmojnë Monarko-fashistët që kishin hyrë në tokën tonë, i ndjekin deri në kufi dhe vendosin situatën. Nga luftimet e zhvilluara janë vrarë trimërisht: Kapiten Memo Nexhipi nga Dukaj i Tepelenës, Aspirant Ferit Bregasi nga Vëndresha e Corovodës, ushtar Tefik Ferati nga Marjani i Oparit, ushtar Shyqëri Avdyli nga Skrapari, ushtar Ibrahim Fetahu nga Lushnja dhe ushtar Hasan Ramadani nga Shijaku. Gjithashtu janë plagosur dhe 6 ushtarë. Monarko-fashistët në këto luftime kanë patur përmbi 100 vetë të vrarë dhe të plagosur si dhe rreth 50 kafshë. (ATSH).

“Provokacionet greke në kufirin me Shqipërinë arritën kulmin e tyre më datë 2 gusht 1949, kur forcat e tyre ushtarake organizuan dhe kryen sulmin e armatosur kundër rojeve kufitare shqiptare në sektorin e Devollit, duke shkelur kështu edhe integritetin territorial të RPSH.

Në mëngjesin e 2 gushtit 1949, në orën 04.30, në zonën e Bozhigradit (Mirasit) filloi përgatitja me artileri e forcave ushtarake greke të dislokuara përgjatë kufirit me Shqipërinë.

Predhat ranë deri 300-400 m në thellësi të territorit shqiptar. Në orën 05.00 filloi sulmi i fanterise greke me 3 batalione të Br.51F dhe Br.52F të D1F të mbështetur nga një Regjiment Artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh gjuajtës të tipit “Spitfiter”, me bazë në aerodromin e Kastorias.

Ata sulmuan kuotat 1309 dhe 1425 që ndodheshin 100 m në thellësi të territorit shqiptar, në sektorin e postës kufitare Vidohovë-Bilisht. Sulmi i tyre u ndesh në mbrojtjen e rojeve të kufirit shqiptar, të cilat nuk ishin më shumë se një togë.

Pra, kaq ishte efektivi i postës kufitare Vidohovë, i armatosur kryesisht me pushkë e automatik si dhe me 3 mitraloz të rëndë e 4 të lehtë. Lufta vazhdoi e ashpër për 7 orë rresht. Sidomos në kuotën 1309 nuk shihej tjetër gjë, veç tym e flakë. Forcat ushtarake greke sulmonin gjithmonë me forca më të mëdha. Aty nga dreka ato arritën të marrin kuotën 1309. “Veprime të tilla na kujtojnë metodat e nazistëve gjermanë dhe të fashistëve që krijojnë incidente në kufijtë me fqinjët e tyre me qëllim presioni e kërcënimi, për të krijuar pasiguri e armiqësi në mes të popujve ose për t`u hapur rrugë veprimeve më të gjera agresive”, shkruante, ndër të tjera në kryeartikull gazeta “Zëri i Popullit” në atë kohë.

***

Pas provokacionit të armatosur të ushtrisë greke në jug të vendit më 2 gusht 1949, Enver Hoxha kërkon takim urgjent me kryediplomatin rus në Tiranë D. Çuvahin dhe i raporton situatën për t’ia përcjellë me urgjencë Moskës.

Ja si e përshkruan takimin diplomati rus:

“Enver Hoxha më njoftoi se më 2 gusht të orës 5 të mëngjesit, dy batalione të forcave monarko-fashiste greke u futën me forcë në territorin shqiptar, në Vidohovë (juglindje të Korçës). Kufitarët shqiptarë u bënë monarko-fashistëve rezistencë të vendosur. Si rezultat i këtij provokacioni, gjatë 11 orëve sipas të dhënave, monarko-fashistët grekë patën 100 të vrarë dhe mbi 100 vetë të plagosur. Humbjet nga ana shqiptare, sipas të dhënave të pakontrolluara janë: një i vrarë dhe dy të plagosur. Tani për tani, mbrojtjen kundër monarko-fashistëve e bëjnë vetëm forcat e mbrojtjes së kufirit, ndërsa njësitë e rregullta të ushtrisë shqiptare nuk janë përfshirë në luftim.

Enver Hoxha mendon se qëllimi i këtij provokacioni të ri të monarko-fashistëve grekë është i vjetër, d.m.th. për të çarë përmes territorit shqiptar dhe për t’u dalë në prapavijë demokratëve grekë. Për këtë, siç vuri ai në dukje dëshmon zhvillimi i tanishëm i luftimit – grekët nuk shkojnë në thellësi të territorit shqiptar, por me luftime ata lëvizin në anën shqiptare, përgjatë kufirit shqiptaro-grek, me qëllim që, duke arritur deri te një pikë e caktuar në kufi, të kthehen në territorin grek dhe t’i godasin demokratët grekë nga prapavija.

Sipas fjalëve të Enver Hoxhës, nga ana e komandës së ushtrisë shqiptare janë marrë masa urgjente. Repartet e ushtrisë së rregullt po lëvizin drejt vendit të luftimit – si dhe u aktivizuan 3 bateri, duke përfshirë një bateri kundërajrore.”

Forcat shqiptare për të përballuar agresionin grek u vunë nën komandën e Mehmet Shehut. Ja ç’tregon një nga ushtarakët tanë që mori pjesë në ato luftime:

“Të gjithë ne ishim nën urdhrat e Mehmet Shehut dhe ai vendoste për çdo gjë, që nga vendkomanda e shtabit në Moravë. Gjatë ditës Mehmeti dilte vetë për të inspektuar forcat që kishim në vijën e parë të frontit, ndërsa mbrëmjeve na mblidhte gjithë grupin dhe na jepte udhëzimet e nevojshme.”

Bilanci

Sipas evidentimit të betejës në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në atë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në faqen 273 të Inventarit/I, mësohet se trupat greke lanë të vrarë në tokën shqiptare 300 ushtarë, 500 të plagosur dhe 270 robër. Sipas botimeve në shtyp, prej datës 2 gusht, deri në orën 12.00 të datës 15 gusht 1949, mbetën të vrarë 29 ushtarë dhe oficerë të ushtrisë tonë dhe u plagosën 127 të tjerë.

Është interesante të thuhet se në të gjitha dokumentet e kohës, por edhe nga pjesëmarrësit dhe dëshmitarët, nuk flitet për sulme nga populli grek, por nga monarko-fashistët grekë. Ja lexoni në vijim këtë pjesë nga një fjalim i Enver Hoxhës me ushtarakë të Gjirokastrës në mbarim të këtij konflikti të armatosur.

Enver Hoxha mban fjalim para ushtarakëve të Gjirokastrës

2 shtator 1949

Të dashur shokë ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, Ju përshëndes dhe ju uroj nga zemra në emër të qeverisë dhe të Partisë sonë për patriotizmin e lartë, që keni treguar duke mbrojtur kufitë e atdheut tonë të dashur nga sulmet e poshtra të monarko-fashistëve grekë.

Ju keni kryer detyrën tuaj dhe keni merituar mirënjohjen e popullit tonë, i cili sheh në ushtrinë e tij, mbrojtësen e lavdishme të atdheut, të fitoreve të Luftës nacional-çlirimtare, të ndërtimit të socializmit në vendin tonë dhe të paqes.

…Armiqtë e vendit tonë sot po bëjnë plot zhurmë, përhapin shpifje dhe gënjeshtra, po bëjnë shantazhe që të na frikësojnë. Ata duhet të dinë se nuk mund t’u arrijnë dot qëllimeve të tyre. Imperialistët kanë vënë në lëvizje të gjithë agjentët e tyre për të krijuar një psikozë lufte ndaj vendit tonë. Agjentët trockistë të Beogradit me Titon në krye, monarko-fashistët grekë, kuislingët dhe kriminelët e luftës të popullit shqiptar, që gjenden në arrati, neofashistët italianë, papa dhe Vatikani, të gjithë kanë hyrë në valle për të kërcënuar Shqipërinë. Imperialistët amerikanë dhe anglezë, që mbajnë në prehrin e tyre kriminelët e luftës me damkë të popullit shqiptar siç janë Mithat Frashëri, Abaz Kupi, Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Abaz Ermenji, Ali Këlcyra etj. të gjithë kuislingët, fashistë, bashkëpunëtorë dhe agjentë të okupatorit fashist italian, të nazistëve gjermanë, të fashistëve të Metaksait dhe tani në shërbim të imperializmit amerikan dhe anglez, i kanë grumbulluar këta në një komitet, që mund ta quajmë komiteti i banditëve. Populli shqiptar i ka çdo ditë më të qarta qëllimet e imperialistëve amerikanë dhe anglezë kundër vendit tonë si dhe ç’përfaqësojnë në gojën e imperialistëve fjalët “liri e demokraci”… Populli shqiptar i njeh mirë këta tradhtarë dhe kuislingë, që luftuan krah për krah me okupatorët për të shtypur popullin tonë. Këta kuislingë e tradhtarë gjetën padronë të rinj, që kanë në plan të përsëritin veprën e Hitlerit. Por ky komitet tradhtarësh do të ketë fatin e tradhtarëve. Komiteti i tradhtarëve ka në program të bëjë zhurmë dhe të bashkojë zërin e tij me çakejtë e Beogradit dhe të Athinës kundër vendit tonë dhe pushtetit popullor. Imperialistët i kanë vënë për detyrë këtij komiteti që, me zhurmën e tij, t’u japë pak kurajë reaksionarëve të brendshëm të vendit tonë.

(Marrë me shkurtime nga “Zëri i Popullit”, 4 shtator 1949)

 

Arratisjet

Paradoksale po ta mendosh për një moment, por nëse në 2 gusht 1949 pati një sulm ushtarak nga ana e Greqisë kundër Shqipërisë, vite më vonë e kemi “sulmuar” ne Greqinë. Kanë qenë një numër arratisjesh që shqiptarë të drobitur iknin dhe kërkonin strehë në tokën greke. Në fillim ishin të rralla, por me kalimin e viteve, u bënë më të shpeshta deri sa ndodhi dyndja e madhe e dhjetëra mijëra refugjatëve tanë pas vitit 1990…

Po i referohem një rasti që e njoh mirë dhe që ka ndodhur plot 35 vjet provokacioneve greke t2 2 gushtit 1949.

… A ju kujtohet një ngjarje e rrallë në verën e vitit 1984? Dy motra arratiseshin përmes detit në një natë të errët me not nga Saranda në Korfuz… Atyre që nuk ju kujtohet, me siguri që kanë dëgjuar për të, megjithëse kanë kaluar kaq vjet… Arratisja e tyre, bëri bujë në Shqipëri. Gjesti i dy motrave, që te shumëkush ngjalli habi, pezm dhe admirim, krijoi probleme serioze dhe çoi në forcimin e regjimit të kufirit shtetëror, sidomos atij detar. Sidoqoftë, pasi u fol një farë kohe për gjestin tejet të guximshëm të dy motrave, pasoi një heshtje e rëndë dhe e gjatë për fatin e tyre.

Historisë së dy motrave shqiptare në historinë e shërbimit botëror të ‘Zërit të Amerikës” i janë kushtuar më shumë se katër faqe. Shkrimtari Ismail Kadare e ka trajtuar historinë e arratisjes së tyre në romanin ‘Spiritus’. E, megjithatë, historia e tyre nuk është rrëfyer asnjëherë deri në fund.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën ‘DITA’, falë njohjes sime të hershme me të, Isabela Islami rrëfehet për herë të parë me hollësi për çfarë ndodhi 36 vjet më parë, si dhe pse u arratisën dy motrat, ndërsa vëllai i tyre i vetëm, Klementi, humbi jetën gjatë kësaj ‘aventure’.

Prej më shumë se 30 vjetësh Isabela dhe motra e saj Zamira punojnë në radiostacionin më të përhapur të botës, në ‘Zërin e Amerikës’ dhe në këtë intervistë Isabela tregon se si arritën deri aty, duke spikatur me personalitetin e tyre. Me pak fjalë është përshkrimi i një rruge të mundimshme nga Çerma e Lushnjes ku ato ndodheshin të internuara, deri në Uashington, një rrugëtim midis ferrit dhe parajsës…

Përshkrimi i Isabelës sipas një interviste që i kam marrë për DITA-n më 9 shkurt 2014:

Ne u internuam familjarisht në Çermë të Lushnjes pas arrestimit të vëllait, Klementit, i cili ishte atëhere 19 vjeç. Vendimi nuk ishte krejt i pazakontë. Kishin ikur edhe të tjerë para nesh, ashtu siç ikën edhe të tjerë pas nesh, deri në fillim të viteve 90’. Familja ka patur një histori të gjatë dhe të rëndë  persekutimi që nga tetori i vitit 1944 me arrestimin e gjyshit nga nëna, Maksut Selenica dhe vëllait të tij, të cilët u pushkatuan. Po ashtu edhe nga familja e babait patën një histori persekutimesh, jo të këtyre përmasave si familja e nënës, por gjithsesi me burgje dhe internime. Vëllai i babait, Shahsuvar Islami, një djalë i arsimuar mirë në Firence të Italisë, u burgos dhe u dënua me 15 vjet burgim. Vdiq në burg.

Shumë njerëz, të njohur dhe të panjohur, kanë thënë se ishte një nga familjet më të persekutuara në Shqipëri. Këtë nuk mund ta them. Kam takuar njerëz që e kanë ndjerë peshën e persekutimit që në moshë fare të njomë. Me pak fjalë, Xhevdet, në Shqipëri unë mund të them se kam patur një fëmijëri të bukur, për aq kohë sa nuk isha në gjendje të kuptoja. Më pas gjithçka ka qënë gri për mua dhe natyrisht për gjithë familjen.

Në Çermë jetuam për gati 10 vjet dhe punonim në fermë, bënim një jetë monotone dhe fizikisht të mundimshme, si dhe pjesa më e madhe e familjeve që jetonin atje. Një pjesë e tyre jetojnë jashtë Shqipërisë tani dhe me të gjithë ata që kam mundur të lidhem, më thonë se jetojnë mirë. Mendoj se ata që kanë qënë fëmijë atëhere, kanë arritur t’i kapin ato vite të humbura, më shumë se ne të tjerët.

…

Kur Klementi u kthye në shtëpi, pasi kaloi një periudhë në hetuesi dhe më pas në spitalin psikiatrik të Elbasanit, e biseduam gjatë mundësinë e arratisjes. Unë dhe Zamira hezitonim dhe e kishim të vështirë t’i linim prindërit pas. Prindërit ishin plotësisht dakord me Klementin. Babai veçanërisht, mendonte se pas vdekjes së Enver Hoxhës gjërat do të ndryshonin dhe do të ribashkoheshim. Në fakt, kjo kishte qenë historia e regjimeve diktatoriale gjetkë. Babai na thoshte gjithnjë se me vdekjen e diktatorit vdes edhe diktatura. Ishte Klementi që nguli këmbë për arratisjen dhe sidomos që nga janari i vitit 1983, e deri sa u larguam më 2 gusht 1984…

Pse nga Saranda?

Kufirin tokësor nuk e njihnim. Një pjesë e njerëzve që kishin tentuar të iknin nga kufiri tokësor ose ishin kapur, ose ishin vrarë në kufi. Rreziku  ishte  më i madh dhe probabiliteti i ndjekjes nga rojet e kufirit ishte më i lartë. Nga Saranda, veçanërisht në kohë të kthjellët, Korfuzi dukej shumë qartë dhe afër. Ishte një pikë e qartë referimi. Për më tepër, ato ditë zhvilloheshin Lojërat Olimpike Verore në Los Anxheles dhe njerëzit ishin pranë televizorëve për t’i ndjekur. Menduam se kishte më pak vëmendje ndaj të ardhurve në qytet.

Ju notuat 12 orë në det në drejtim të Korfuzit. Vëllai juaj i ndier Klementi humbi jetën, ndërsa ju dy motrave u shpëtoi me sa di një jaht italian. Gabuat në përllogaritjet tuaja?

Kur e mendoj tani them se gabuam në vlerësimin e distancës në raport me mundësitë fizike dhe faktorin psikologjik. Në vijë ajrore distanca më e afërt tokë-tokë është rreth 7 milje detare, rreth 12 kilomera. Është distancë e gjatë edhe për notarë profesionistë, jo më për notarë amatorë, sado të mirë që të jenë. Por ishte dëshira e fortë për të qënë të lirë që na bëri ta gjykonin atë distancë të përballueshme…

 

Qemal Bregasi: Ja si e “sulmova” edhe unë Greqinë, si ato dy motrat

Ish-anëtari i Komitetit Qendror të PPSH dhe ish-sekretari i Parë i Partisë për rrethin e Sarandës në gjysmën e parë të viteve ’80, Qemal Bregasi, pas intervistës së Isabelës, ka treguar se çfarë ka ndodhur pas arratisjes së dy motrave Islami nga bregdeti i Sarandës në gusht 1984.

Ja çfarë thotë ai:

Historia ka ndodhur pikërisht ashtu siç e përshkruan Isabela. Ato kishin qenë të internuara në Çermë të Lushnjës dhe zgjodhën të arratiseshin nga Saranda. Kanë hyrë në det në mbrëmje diku pranë ish-kampit të punëtorëve dhe kanë mundur t’u shpëtojnë prozhektorëve që ndriçonin detin herë pas here. Askujt nuk i shkonte në mendje se mund të ndodhte një arratisje e tillë në ato kushte. Ato e bënë. Bëheshin ca lojëra olimpike në atë kohë dhe me sa dukej vigjilenca kishte rënë disi. Pas tyre do të ndodhnin edhe disa raste të tjera arratisjesh, edhe ushtarë janë arratisur… Po kur isha unë sekretar i parë, ky ishte rasti më i bujshëm. U bënë shumë mbledhje në atë kohë dhe u morën masa të rrepta për forcimin e regjimit të kufirit. Aty nga viti 1988 a ‘89, pasi unë kisha ikur nga Saranda, u arratisën nga kufiri tokësor me Greqinë dhjetëra njerëz, brenda një nate iku gati një fshat i tërë. Pra e kam fjalën se pas arratisjes së atyre dy motrave ka pasur një sërë arratisjesh nga deti e nga toka. Por ato ishin të parat dhe mua për shkak të tyre më është dhënë një vërejtje shumë e rëndë; dhe mund të them se kam qenë në prag të burgosjes…

Si e morën atë masë? Ju ishit sekretar i parë i partisë për Sarandën dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë…

Pikërisht për këtë arsye. Partia ishte mbi të gjitha në atë kohë. Mungesa e vigjilencës revolucionare, liberalizëm, zbutje e luftës së klasave etj., i fusje ku të doje fare kollaj ngjarje të kësaj natyre. U bë një mbledhje e Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë në atë kohë. Mbledhjet atëherë kishin një rend dite të përcaktuar shumë qartë kohë më përpara, mirëpo një pjesë e mbledhjes zakonisht nga fundi i kushtohej problemeve të ditës. Ngrihet Ramiz Alia dhe para gjithë Komitetit Qendror më kritikon për liberalizëm dhe më tërheq një vërejtje të rëndë. Të kritikoheshe në atë kohë nuk ishte gjë e thjeshtë. Ne që ishim në Komitetin Qendror e dinim shumë mirë se pas një kritike të tillë, në mbarim të mbledhjes të hidheshin hekurat dhe futeshe në burg. Mund të tregoj se ne ishim katër anëtarë të Komitetit Qendror nga rrethi i Sarandës. Rrinim bashkë në sallë. Pas kritikës, ata m’u larguan menjëherë pasi mund të shpallesha armik dhe raste të tjera më përpara, kishin treguar se sa dilnin nga salla ata që kritikoheshin, arrestoheshin. Fatmirësisht mua nuk m’u hodhën hekurat. Por hija e dyshimit vazhdoi dhe nuk m’u nda asnjëherë.

Me sa shoh, ju u jepni të drejtë atyre motrave që u arratisën në atë kohë?

Pa asnjë dyshim. Pavarësisht se në atë kohë arratisja konsiderohej tradhti kombëtare, në kushtet që ato ishin kanë vepruar shumë drejt. Njeriu duhet të pësojë vuajtjen dhe shtypjen për të kuptuar një akt të tillë. Pse e them këtë? E dini ju se edhe unë jam arratisur njëherë, nja dhjetë vjet pas atyre motrave?

Si? Jeni arratisur? Po kur dhe pse?

Ja ta tregoj. E mbani mend kur Sali Berisha nxori një ligj për gjenocidin aty nga viti 1995. Ai ishte një ligj fashist dhe shumë njerëz të sistemit të kaluar përfunduan në burg. Edhe unë isha në listë. Po unë nuk i kisha bërë keq askujt, nuk kisha dëbuar apo internuar asnjë njeri të vetëm. Por, unë nuk mund ta lija veten të më hidhte hekurat Sali Berisha. Kështu që unë jam dënuar me burg në mungesë nga Berisha, por poshtërsia qëndron edhe në faktin se pasi e nxorën atë ligj dhe dënuan me burg shumë njerëz, janë zhdukur edhe dokumentet. Pra ata që u dënuan me burg nuk figurojnë si të dënuar. Nejse. Një mik më ndihmoi mua dhe ika në Greqi në atë kohë. Mund të them se kam kaluar një periudhë shumë të mirë në Greqi, në Athinë midis shumë miqve sarandiotë dhe minoritarë që i takova dhe treguan mjaft respekt ndaj meje. Më ka prekur miqësia dhe mirënjohja e tyre pas shumë viteve. E ruaj miqësinë edhe sot e kësaj dite me ta dhe dua të theksoj se periudha e viteve të punës në Sarandë ka qenë nga më të bukurat e jetës sime.

 

****

Botuar në DITA. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT