Shtyhet amnistia fiskale pas presionit vendas dhe të huaj, bllokohet paketa anti-KÇK, ngrijnë ligjet për përgjimet nga Policia dhe kodet

Presioni vendas dhe i ndërkombëtarëve duket se ka detyruar mazhorancën të shtyjë miratimin e ligjit për amnistinë fiskale. Plani ishte që në seancën e datës 29 korrik të miratohej ligji në seancë plenare, por drafti u shty papritur.
Sipas burimeve, të gjitha grupet e interesit kanë pasur mjaft rezerva për nismën e qeverisë. Institucioni i parë që u shpreh kundër ishte Prokuroria e Përgjithshme. Pak ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme ka nënvlerësuar draftin e qeverisë duke u shprehur se ky projekt cënon ligjin për përgjegjësinë penale.
Kritikat e ndërkombëtarëve
Komisioni Europian kundërshton nismën e qeverisë për amnisti fiskale. Përmes një raporti të bërë publik Komisioni sqaron se ky është një projektligj që ka një impakt të madh në jetën e vendit dhe se një urgjencë e tillë nga qeveria është e pakuptueshme. Në këtë raport KE sqaron qeverinë se nuk ka bërë konsultimet e duhura dhe mund të degradojë më tej vendin si një pikë të pastrimit të parave.
“Ky projektligj nuk ka përfituar nga konsultimi i duhur me partnerët relevantë përpara se të dërgohej në Kuvend. Shqetësimi në rritje për Shqipërinë është kthimi i saj në një qendër të pastrimit të parave dhe do të krijonte një oportunitet të madh për evazorët fiskalë dhe pastruesit e parave”, thuhet në raport. Një tjetër kritikë e ekspertëve të BE-së lidhej me përfshirjen në ligj edhe të personave që nuk kanë nënshtetësinë shqiptare, por kanë biznese në Shqipëri. Jo vetëm kaq por edhe gama e gjerë e produkteve që kjo amnisti fiskale dhe penale përfshin e bën edhe më të rrezikshme këtë amnisti në këtë kohë dhe të dërguar me shpejtësi në Kuvend. Komisioni gjithashtu kritikon edhe pandëshkueshmërinë penale apo hetimin që do të vijë pas kësaj amnistie, duke thënë se ky draft krijon pabarazi në këto direktiva që është prezantuar.
“Projektligji mundëson një mosndëshkim të padrejtë ndaj atyre që kanë mbajtur pasuri të fshehtë, ndërkohë që efektet pas kësaj amnistie nuk dihen ende. Ky projekt-ligj do të sillte në rast aprovimi shqetësime të mëdha në lidhje me kompetitivitetin e pandershëm nga ato që kanë mbajtur asetet e tyre jashtë sistemit deri më tani”, deklaron KE. Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër tre pikave për amnistinë fiskale, për heqjen e TVSH-së së tatim-fitimit për biznesin e vogël si dhe për amnistinë fiskale. Përmes një deklarate publike FMN i ka konsideruar këto si hapa që cenojnë përmbushjen e detyrimeve tatimore.
“Mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cenuara nga këto kriza është e përligjur, por ajo duhet të jetë e përkohshme, e mirëorientuar dhe transparente. Vendosja e pragut në një nivel shumë të lartë për një periudhë tepër të gjatë, do të gërryente bazën tatimore dhe do të cenonte përmbushjen e detyrimeve nga subjektet tatimore”, deklaroi FMN.
Amnistia fiskale nuk ishte ligji i vetëm që u shty për miratim në vjeshtë. Ky sesion parlamentar u mbyll pa kaluar edhe një sërë ligjesh të tjera, të cilat kanë hasur debat gjatë diskutimeve në komisione. Kështu, paketa e ashtuquajtur anti-KÇK, duke filluar që nga përgjimet e policisë pa vendim gjykate e deri te ndryshimet në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale janë bllokuar dhe pritet që të miratohet në një moment tjetër.
Projektligji “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar”, ku qeveria mori nismën që t’u jepet e drejta uniformave blu për të kryer përgjime për individë të caktuar, pa marrë më parë vendim nga gjykata apo prokuroria u shty pas një sërë debatesh të shkaktuara. Për këto përgjime, qeveria kishte parashikuar edhe një ngritje të një komiteti, i cili do të drejtohej nga ministri i Brendshëm dhe në përbërje të tij do të kishte ministrin e Drejtësisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesin e SPAK, drejtorin e SHISH, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorin e agjencisë përgjegjëse për luftën kundër terrorizmit dhe drejtorin e agjencisë përgjegjëse për parandalimin e pastrimit të parave. Pas diskutimeve në komisionet parlamentare, ishin të shumtë zërat që e kundërshtuan këtë projektligj dhe duket se këto reagime negative kanë bërë që qeveria të tërhiqet dhe të reflektojë.
Një tjetër projektligj që është bllokuar është edhe ai “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. Në vijim të paketës anti-KÇK, qeveria i jepte të drejtën policisë për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që janë vënë në rrugë kriminale. Sekuestrimi i tyre u bë objekt debati, nëse policia duhet t’i sekuestronte pronat me vendim të prerë gjykate apo jo. Por tashmë diskutimet dhe miratimi i këtij projektligji ka mbetur pas vjeshtës. Ndërkohë që projektligji tjetër, pjesë e paketës anti-KÇK që nuk u miratua këtë sesion parlamentar është “Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Ky projektligj ka të bëjë me administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Qëllimi i këtij projektligji ishte të administronin të gjitha pasuritë e sekuestruara të grupeve kriminale dhe të ardhurat të shkonin në buxhetin e shtetit. Por edhe ky projektligj i paketës anti-KÇK u kundërshtua, çka solli që qeveria të reflektojë dhe të mos e kalonte në këtë sesion parlamentar për miratim.
Dalja në pension e policëve
Por edhe projektligji “Për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës” është bllokuar. Ky ligj s’ka lidhje me paketën anti- KÇK, por ka si synim daljen në pension të punonjësve të policëve në moshën 55 vjeç, si dhe të kenë plotësuar vjetërsinë prej 30 vjetësh në strukturat e Policisë së Shtetit. Sipas projektligjit, ata do të marrin një pagesë prej 50 për qind të rrogës mujore që kanë marrë gjatë kohës që ishin në detyrë. Në relacion theksohet se kjo nismë e re ligjore për të përmirësuar përfitimet aktuale të punonjësve të Policisë së Shtetit, do t’i motivonte ato në përmbushjen me sukses të misionit për rritjen e sigurisë në vend, si dhe do të plotësoheshin rekomandimet e misioneve të huaja në ndihmë të policisë, si PAMECA apo Programi ICITAP, të cilat kërkojnë rritjen e parametrave aktualë të trajtimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke i përafruar ato me standardet e policive të vendeve evropiane. Nisur sa më sipër, projektligji i paraqitur për miratim është në harmoni të plotë me reformat e ndërmarra dhe prioritetet e përcaktuara nga qeveria. Megjithatë grupet e interesit e kanë kundërshtuar dhe mazhoranca duket se është tërhequr.