Skandali në Amantia: Arkeologët zbulojnë ditën strukturën antike, natën dëmtohet nga kërkuesit e thesarëve (Fotogaleri)

Vijon skandali me monumentet arkeologjike në vendin tonë, këtë herë barbarizmi ka prekur Parkun Arkeologjik të Amantias në Vlorë.
Prej disa ditësh një grup arkeologësh shqiptarë kanë nisur punën për mirëmbajtjen e varreve antike të dëmtuara më herët nga kërkuesit ilegalë të thesareve, e ku në disa raste kanë arritur të zbulojnë edhe struktura të reja, raporton newsbomb.al.
Por siç bën me dije drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Vlorë, Orgest Feimi gjatë natës këto struktura antike janë dëmtuar. Ao thotë se i ka dërguar më herët shkresa institucioneve përkatëse, por këtë herë ka zgjedhur ta denoncojë skandalin në rrjetet sociale, për të sensibilizuar qytetarët.
Ja çfarë shkruan ai lidhur me dëmtimet në zonën arkeologjike:
Të padhe!
Anti Shqiptarë!
Kriminelë prej injorancës dhe jo prej pamundësisë! Dritëshkurtër!
Shkatërrimtar të historisë sonë kombëtare!
Fatkeqësi!
Ja çfarë jeni ju, fatkeqësi e Shqipërisë dhe e të gjithë atyre që duhet të merren me ju!
Prej më shumë se 2-javësh, po kryhen gërmime shpëtimi në disa prej varreve të ndodhura në Parkun Arkeologjik të Amantias, me mbikqyrjen e specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, varre të cilat kanë qënë të dëmtuara më parë nga gërmimet klandestine që hasim shpesh në këtë zonë!
Dhe akoma e më shumë, çmenduria i kalon limitet, ku mundin dhe punën e çdo dite, që aktualisht po kryhet, vijnë e shkelin me këmbë natën, njerëz a kafshë (nuk e di çfarë janë), në kërkim të asaj që nuk ekziston, e ndoshta nuk ka ekzistuar ndonjëherë!
Ç’kusur ju kemi?!
Zoti dhe organet kompetente të shtetit, uroj dhe shpresoj të vendosin dorë mbi ju dhe qoftë shumë e rëndë!
Zgjodha edhe profilin e facebook, përtej shkresave zyrtare institucionale tashmë të dërguara, për të rritur ndjeshmërinë e secilit prej nesh, në lidhje me këtë problematikë të vazhdueshme, e cila është në dëm të kombit dhe historisë tonë mijëravjeçare!!!