Në dëm të fëmijëve: Ja pse duhet të bëhet çmos që nga 1 shtatori të hapen shkollat

Mësimi online do të duhej të ishte opsioni i fundit, jo i pari. Autoritetet arsimore të Kosovës duhet të bëjnë çmos që nga 1 shtatori të hapen shkollat. Sipas shkencëtarëve gjermanë pa mësim në objekte shkollore nxënëset dhe nxënësit nuk e kalojnë as gjysmën e kohës së zakonshme për të mësuar, pa mësim me prani fizike nxënësit – sidomos ata që janë pak më të dobët – vendnumërojnë dhe rrezikojnë të mbesin të vetmuar në shumë aspekte. Por eskalimi i situatës me pandeminë në Kosovë (jo vetëm me fajin e qeverisë) rrezikon t’i mbajë nën dry shkollat edhe pas 1 shtatorit.
Nga Enver Robelli
Instituti IFO i Münchenit (Instituti i Leibnizit për Hulumtime Ekonomike në Universitetin e Münchenit) ka prezantuar rezultatet e një studimi mbi pasojat që ka mbyllja e shkollave. Sipas shkencëtarëve gjermanë pa mësim në objekte shkollore nxënëset dhe nxënësit nuk e kalojnë as gjysmën e kohës së zakonshme për të mësuar, pa mësim me prani fizike nxënësit – sidomos ata që janë pak më të dobët – vendnumërojnë dhe rrezikojnë të mbesin të vetmuar në shumë aspekte. Këtë nuk mund ta kompensojnë pajisjet digjitale. Sipas “Süddeutsche Zeitung” shkolla është vend i mësim-nxënies së përbashkët, i të folurit, i jetës sociale. Këtë s’mund ta zëvendësojë mësimi online.
Një debat i tillë në Kosovë mungon. Pushtetarët mjaftohen me fjalinë: “mësimi mund të vazhdojë online”. Maskat gjatë mësimit, distanca, ndarja apo edhe përgjysmimi i klasave? Këto janë opsionet e mundshme, ndërsa mësimi online do të duhej të ishte opsioni i fundit, jo i pari, siç po pretendojnë përgjegjësit e arsimit. Para se të flitet për mbyllje të shkollave pse të mos flitet për mbyllje të restoranteve?
Si në rastin e mbylljes së çerdheve, edhe mbajtja mbyllur e shkollave do të godasë shumë prindër, të cilët duhet të organizojnë mbikëqyrjen e fëmijëve, e jo pak prindër duhet të lënë ndoshta edhe punën për t’u kujdesur për fëmijët. Në politikë fëmijët dhe të rinjtë, ndonëse janë shumica e popullsisë së Kosovës, nuk kanë lobi të fuqishëm. Në fjalimet e tyre festive politikanët nuk harrojnë t’i përmendin fëmijët. Edhe në fushata zgjedhore politikanët me qejf plasojnë në opinion fotografi me fëmijë – me këtë idil të rrejshëm ata duan të marrin vota dhe sapo të futen në parlament apo qeveri harrojnë premtimet elektorale. Lobi me ndikim kanë veteranët, siç ka treguar edhe shumëfishimi i numrit të tyre si me shkop magjik.
Jo vetëm në këtë përbërje të parlamentit, deputetët nuk janë shembull për askënd, e lëre më për fëmijët. Deputetët “prodhojnë” tituj medialë me sjellje të dhunshme, fjalor vulgar, vërsulje për rrahje, madje deputetët “më trima” dinë të tregojnë edukatën e tyre duke i sharë me nënë kolegët e tyre. Kështu kanë shkuar edhe muajt e fundit. A është dëgjuar ndonjë deputete apo deputet së fundi duke prezantuar ide a propozime të mençura se si të hapen shkollat më 1 shtator? Si të kursehet në asfalt dhe të investohet në infrastrukturën arsimore? Si të pakësohet numri i zëvendësministrave dhe të rritet buxheti për shkollat?
Eskalimi i situatës me pandeminë në Kosovë (jo vetëm me fajin e qeverisë) rrezikon t’i mbajë nën dry shkollat edhe pas 1 shtatorit. Për dëmet shoqërore që shkakton kjo mbyllje nuk është menduar fare muajve të fundit, kur forcat politike u përfshinë në një betejë kryekëput për interesa të ngushta pushteti. Në listën e prioriteteve e mira e përgjithshme gjendet diku nga fundi.