Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut vendosin bashkimin: Shqetësohet Zaev
NGA YLLI PATA
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duket kanë rënë dakord të mblidhen në një tryezë të përbashkët, e cila realisht ka vënë në një pozitë jo pak të vështirë liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, i cili tashmë nuk do të ketë mundësinë të luajë me përplasjet mes partive shqiptare.
Të premten, të gjithë liderët shqiptarë kanë rënë dakord që të takohen dhe të japin një variant mbi kërkesat politike që duhet të bëjnë shqiptarët.
Ende nuk dihet se kush ka ndihmuar në këtë takim, por burime nga partitë shqiptare bëjnë të ditur se kanë qenë pak nga të gjithë.
Madje siç mësohet kanë qenë edhe zëra nga shoqëria shqiptare si biznesmenë, intelektualë etj, të cilët pa rënë në sy kanë ndikuar te palët për këtë takim.
Një gazetar me shumë emër dhe një biznesmen ikonë i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, kanë qenë dy më aktivët, por kanë bërë të ditur se nuk duan që të publikohen emrat e tyre,
Të premten do të mblidhen partitë që kanë 32 deputetë e ka gjasa të arrijnë në një logjikë të përbashkët.
Kjo logjikë e ka frikësuar Zaevin, i cili këtë e ka shprehur edhe publikisht. “Po, e shoh si trysni ndaj meje, LSDM-së dhe koalicionit “Mundemi” për kryeministrin e propozuar nga BDI”, tha Zaev.
Pyetjeve të Shqip, se cili ka qenë roli i Tiranës në këtë proces, burime nga partitë shqiptare kanë thënë se të gjithë faktorët kanë bërë punën e tyre, por asnjëri nuk dëshiron të marrë meritat, vetëm të arrihet konsensusi mbipartiak.