Ramush Haradinaj shpall kandidaturën për president të Kosovës

Në një mbledhje të strukturave të larta të saj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpallur kandidaturën e kryetarit të saj, Ramush Haradinaj, për president të Kosovës.
Në mbledhjen e mbajtur sot, AAK ka diskutuar për zhvillimet politike dhe qeverisëse në vend. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shpreh ngushëllime për të gjithë ata që kanë humbur familjarët me Covid-19.
Aleanca fton qytetarët e vendit, të respektojnë udhëzimet e ekspertëve shëndetësorë, në mënyrë që sa më shpejt të dalim nga kjo pandemi.
Aleanca nuk përkrah bllokimin e vendit, kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe bllokimin e bizneseve dhe ekonomisë.
Përkundrazi, Aleanca konsideron se bizneset dhe qytetarët duhet të mbështeten sa më shumë me grante e subvencione, që do ndihmojnë në kapërcimin e krizës aktuale.
AAK nuk përkrah dialogun teknik në nivele të ulëta koordinatorësh, duke e konsideruar si të gabuar dhe kthim prapa në pozicionin e Kosovës.
AAK përkrah dialogun me lidership amerikan, që do përfundojë me njohjen reciproke mes dy vendeve.Koalicionin qeveritar e kemi mbështetur pa kushte, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike, në mënyrë që një qeveri legjitime të marrë masat e duhura në dobi të qytetarëve të vendit.
Por, AAK nuk do të përkrah marrëveshjet e natyrës teknike në të cilat ekziston rreziku që po rrëshqasim.Aleanca do të jetë si gjithmonë konstruktive në interes të vendit në rast të zgjidhjeve politike të cilat janë në dobi të mirëqenies së qytetarëve.
Këshilli Drejtues i AAK-së e ka autorizuar kryetarin Haradinaj që në emër të Aleancës të zhvillojë çfarëdo bisedimesh eventuale për rikonfigurimin eventual të qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit nëse kjo do vjen në rend të ditës.
Këshilli Drejtues po ashtu, ka kërkuar me shumicë, që në këto bisedime, kandidat për president të jetë kryetari Ramush Haradinaj.
Reagimi i Haradinajt
Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj thotë se ka marrë besimin nga AAK’ja që të jetë kandidat për President të Kosovës, ndërsa tregon se në mbledhjen e sotme të kryesisë është folur edhe për “rikonfigurim të Qeverisë”, derisa po spekulohet për përfshirjen e PDK’së në Qeveri.
“Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj,