Hyn në fuqi rregulli i ri/ Nga sot, kush hyn në Greqi 1 javë në karantinë

Ditët e fundit shqiptarët janë përballur me një situatë mjaft të vështirë në kufirin me Greqinë, ku kanë qëndruar në radhë për orë e ditë të tëra.
Nga sot, kush hyn në Greqi do të duhet të karantinohet për 1 javë. Ishte kjo datë, që shtyu mijëra emigrantë të nxitonin për t’u dyndur drejt pikave kufitare dhe që më pas solli radhët kilometrike në dy pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës.
Prej të enjtes ka pasur radhë të gjata për shkak edhe të negociatave mes dy palëve dhe mosfunksionimit të punës nga pala greke gjatë natës.
Vetëm mbrëmjen që kaloi pala greke punoi edhe gjatë natës, ndërkohë nga kjo e diel çdo emigrant shqiptar, rezident në Greqi apo person që lejohet sipas kushteve greke të futet në territorin e shtetit fqinj duhet të karantinohet për 1 javë.
Nga e hëna më pas, me masat e reja shtesë do të duhet edhe tampon negative me vete, jo më të vjetër se 72 orë, vërtetim i diagnozës në anglisht bashkë me të dhënat si dhe plotësimin e formularit PFL në faqen e autoriteteve greke.