Agravohet situata në Kakavijë, qytetarët përplasen fizikisht me policinë (FOTO)

Është agravuar situata në Kakavijë, ku qytetarët janë konfliktuar fizikisht me policinë.
Prej gati 5 ditësh qindra qytetarë presin në radhë për të kaluar kufirin me Greqinë.
Qytetarët shprehen të revoltuar se refuzojnë kategorikisht të kthehen mbrapsht. Sipas informacioneve të fundit, pala greke kërkon që çdo shqiptar që do të futet në shtetin helen duhet të pajiset me testin e Covid-19.
Por qytetarët thonë se nuk ishin lajmëruar më herët për këtë gjë dhe tani e kanë të pamundur të kthehen deri në Tiranë për të bërë tamponin.
Shumë prej tyre ankohen se kanë shpenzuar ditë të tëra në vapë dhe nuk kanë as për të ngrënë dhe as për t’u larë.
Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Arben Joco, në një deklaratë për mediat njoftoi se asnjë shqiptar me dokumenta greke nuk do të mund të kalojë në shtetin helen pa pasur me vete testin negativ të Covid-19.
Joco tha se kjo varet nga vendimet e palës greke dhe se nga dita e nesërme do të hyjë 750 persona në ditë në Greqi.