“Kryeministër për 100 ditë”, Ahmeti: Jam i bindur se ky partneritet do të jetë nga më të suksesshmit

Ditën e sotme koalicioni i LSDM-së dhe BDI-së tashmë kanë finalizuar marrëveshjen për qeverinë e re. Menjëherë pas këtij njoftimi liderët e dy partive, Zoran Zaev nga LSDM-ja dhe Ali Ahmeti nga BDI-ja kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Zaev pas takimit me Ahmetin deklaroi se është arritur marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së për qeverinë e re për 4 vitet e ardhshme. Ndërsa theksoi se ai do të jetë kryeministëri i vetëm i vendit për 4 vitet e ardhshme të qeverisë LSDM-BDI.
Në këtë mënyrë është kuptuar tashmë se se kryeministër shqiptar në krye të Maqedonisë së Veriut nuk do të ketë.
Ndërsa Ahmeti gjatë fjalës së tij në konferencën për shtyp është shprehur se ky koalicion ndërtohet në parime për mbarëvajtjen e proceseve më të rëndësishme në vend. Ndërsa ka shtuar se ndihet i lumtur dhe u bindur se ky partneritet që po ndërtohet në këtë mandat 4-vjeçar do të jetë nga më të suksesshmit.
“U finalizua arritja e marrëveshjes për bashkëqeverisjen apo koalicionin për të drejtuar vendin 4 vitet e ardhshme. Pikërisht ky moment ndodh kur vendi përballet me krizën nga epidemia dhe pasojat që shkakton ajo. Duke patur prioritet gjithmonë qytetarët vendit i duhen konstituuar organet që ata të kenë jetën më të sigurtë e më të qetë. Jam i bindur se vendimi ynë i sotëm është mirëpritur nga çdo qytetar. Sigurisht që edhe mirëpritet nga partnerët tanë të cilët kanë ndihmuar që vendi ynë të integrohet në NATO dhe në Bashkimin Europian. Është me rëndësi të theksohet se ky koalicion ndërtohet në parime për mbarëvajtjen e proceseve më të rëndësishme në vend. Jam i bindur që ne sot i kemi bërë një shërbim të mirë vendit dhe qytetarëve tanë. Jam i bindur se ky partneritet që po ndërtohet në këtë mandat 4-vjeçar do të jetë nga më të suksesshmit. Ju uroj suksese qeverisë së ardhshme, ju uroj suksese dhe mbarëvajtje të punëve të këtij koalicioni si dhe nuk dua të marr kohë nga koha juaj. Të gjithë ato që tha zoti Zaev i kemi dakordësuar, zoti na ndihmoftë!”, ka thënë Ahmeti.
Ndërkohë teksa është pyetur nga gazetarët nëse kjo marrëveshje ishte ajo që kërkohej nga Ali Ahmeti tha se ideja e tij ishte për t’i afruar njerëzit dhe jo për t’i larguar, ndërsa shton se në katër vitet e fundit janë bërë punë të guximshme.
“Mendoj që të gjithë ju keni përcjellë të gjithë fushatën. Sigurisht që ideja është për t’i afruar njerëzit dhe jo për t’i larguar. E tha edhe zoti Zaev, në Maqedoni ka patur ministër të mbrojtjës, kryetar parlamenti shqiptar, çështja e kryeministrit ka qenë që t’i afrojë komunitetin shqiptar për të qenë më të bashkuar dhe duhet përshëndetur guximi i zotit Zaev që në 100 ditë do të jetë një shqiptar për kryeministër. Sigurisht që këto 4 vite janë bërë punë të guximshme, punët e guximshme bëjnë guximtar”, ka thënë ai.