Natyrë dhe befasi… Shqipëria në 10 foto!

Megjithëse një vend i vogël si sipërfaqe, Shqipëria numëron një listë të gjatë bukurish natyrore.
Arsyeja kryesore për këtë është larmia gjeografike e vendit tonë. Natyra e virgjër dhe misteret kulturore, kombinohen për të krijuar një profil të veçantë gjeografik.




Nga malet të mbuluar me dëborë në dimër, në fushat e mbuluara nga lule në pranverë, si një tapet i butë që i dhuron një kolorit sezonit pranveror. Peizazhi i Shqipërisë është gjithnjë në ndryshim me stinët, duke u ofruar të apasionuarve të eksplorimit të natyrës, mundësinë për të shijuar një pushim të ngrohtë në plazh në verë ose një udhëtim malor, në ajër të freskët dhe të ftohtë në vjeshtë.




Prej mëse 5 vitesh, Granit Temaj një ndër aventurierët e turizmit të trojeve shqiptare, ka arritur të fiksojë me aparatin e tij bukuri të shumta, mes relievit të thyer alpin, apo edhe rivierës shqiptare. Vitet e fundit, ai ka bërë një planifikim të jetës dhe identifikimit të destinacioneve, duke i kthyer ato jo vetëm në hobi, por me tepër në përjetime jetësore. Zgjimet në mes të pyllit, netët pranë një zjarri kampi dhe ecjet në natyrë, e lumturojnë pa masë. Ai ka edhe blogun e tij, “Alpventurer”, që për objektiv ka promovimin e destinacioneve aventuriere. Për “IntoAlbanian”, Graniti, sjell copëza nga bukuritë shqiptare.