Vuçiç reagon pas bllokimit të rrugës, Beogradi bën gati një paketë të re për kishat serbe në Kosovë

Beogradi ka përgatitur përgjigjen ndaj Prishtinës pas një projekti për të rindërtuar rrugën e Deçanit, që konsiderohet nga serbët, si prekje në zonën e trashëgimisë të kishave serbe që ndodhen në atë zonë.
Siç bën të ditur televizioni serb B92, në ditët në vijim, Qeveria e Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe do të formojnë një ekip të veçantë për mbrojtjen e trashëgimisë shpirtërore serbe.
Ekipi do të jetë përgjegjës për mbrojtjen e trashëgimisë shpirtërore serbe në Kosovë, Mali i Zi dhe Kroaci.
B92, i referohet gazetës Ve?ernje Novosti, sipas të cilës, anëtarët e ekipit do të jenë historianë, historianë të artit, arkitektë, arte, si dhe zyrtarë të kishave, intelektualë dhe figura të shquara publike.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar në fundjavën e shkuar që të ndalën punimet në rrugën R108 që prek zonën e Manastirit të Deçanit.
Fillimisht ishte përfaqësuesi i manastirit, Sava Janjiç që reagoi për punimet e më pas edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili kërkoi nga BE-ja të bëjë presion për bllokimin e punimeve.
Ndalja e punimeve pas kërkesës së Hotit është kritikuar nga partneri qeverisës dhe kryetari i komunës së Deçanit. Ndërkaq, kryeministri Hoti, ka thënë se Kosova përfaqëson mozaik të kulturave dhe etnive të ndryshme.
Ai ka shtuar se populli i Kosovës i ka mbrojtur vlerat e etnive dhe religjioneve brenda vendit për shekuj me radhë, duke shtuar se kjo është në traditën tonë.
“Kosova është një mozaik i kulturave dhe feve të ndryshme. Vendet fetare dhe kulturore të të gjitha etnive dhe besimeve në Kosovë janë vlera dhe kujtesa e përbashkët e shoqërisë sonë dhe kanë mbijetuar për shekuj për shkak të mbrojtjes nga njerëzit e Kosovës. Ky është një angazhim i rrënjosur në traditën tonë”, ka shkruar Hoti në Facebook./Gazeta Shqip