BE nuk njeh zgjedhjet në Bjellorusi, mbështet propozimin e Edi Ramës për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e konfliktit

Këshilli Evropian ka mbështetur propozimin e Edi Ramës, si kryetar i OSBE-së, për dialog në Bjellorusi, pas situatës së krijuar atje.
Bashkimi Evropian me anë të disa konkluzioneve zyrtare të bërë publike njoftoi sot se nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në Bjellorusi më 9 gusht.
BE ofron ndihmë për të zgjidhur situatën e tensionuar atje pas zgjedhjeve të 9 gushtit. Kujtojmë se zgjedhjet nuk pranohen nga opozita dhe organizatat ndërkombëtare, pasi cilësohen si të manipuluara, ndërsa vendi është përfshirë nga një valë protestash.
Në pikën 8 të vendimit të miratuar nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Këshilli shpreh mbështetje për iniciativën e kryetarit te OSBE, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
“Ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën nga afër dhe do të jemi të gatshëm të kontribuojmë në përpjekjet për t’i dhënë fund krizës në mënyrë paqësore. BE mbështet plotësisht propozimet e OSBE-së për dialog në Bjellorusi dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë për t’i përmirësuar ato”, thuhet në pikën 8 të vendimit.
Sipas anëtarëve të Këshillit zgjedhjet e 9 gushtit nuk ishin as të lira dhe as të drejta, prandaj nuk i njohim rezultatet.
“Anëtarët e Këshillit Evropian dënojnë dhunën jo proporcionale dhe të papranueshme të shfaqur nga autoritetet shtetërore kundër protestuesve paqësorë. Dhuna duhet të shmanget dhe të gjithë ata që janë ndaluar në mënyrë të paligjshme duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte. Shoqëria civile dhe aktorët e opozitës të përfshirë në diskutime mbi tranzicionin politik duhet të mbrohen nga arrestimet arbitrare dhe dhuna. BE pret një hetim të plotë dhe transparent për të gjitha abuzimet e pretenduara”,thuhet më tej.
Kujtojmë se Kryeministri Edi Rama në rolin e kryetarit të radhës të OSBE-së, shprehu gatishmërinë për të vizituar Minsk-un së bashku me ministren e Jashtme suedeze Ane Lind që do të marrë vitin tjetër presidencën e OSBE-së, dhe zhvilluar bisedime me të gjitha palët e përfshira në konflikt.
Gjithashtu KE shprehet e shqetësuar edhe për konfliktin mes Turqisë dhe Greqisë për zonat e naftës.