Pas Këshillit Europian reagon edhe Von der Leyen: Mbështesim fuqimisht propozimin e Ramës

Fill pasi Këshilli i Europës dhe Presidenti i saj Charles Michel pranoi propozimine kryeministrit Rama në cilësinë e kreut të OSBE për të zhvilluar një takim me presidentin bjellorus Lukashenko dhe lideren e opozitës SvetlanaTikhanovkaya ka ardhur edhe reagimi i presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Mësohet se ajo ka përforcuar qëndrimin e Këshillit të Europës duke çmuar propozimin për zgjidhjen e konfliktit nga ana e OSBE-së.
Ursula Von der Leyen, përmes një deklarate, thekson se mbështet protestat e qytetarëve në Bjellorusi, ndërsa thotë se nuk i njeh zgjedhjet.
Ajo paralajmëroi sanksione ndaj ushtruesve të dhunës dhe falsifikuesve të zgjedhjeve. Ursula Von der Leyen dha tre mesazhe të qarta.
“Së pari, ne qëndrojmë pranë njerëzve të Bjellorusisë, të cilët dëshirojnë liritë themelore dhe demokracinë. Së dyti, ne do të sanksionojmë të gjithë ata që janë përgjegjës për dhunën dhe falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve. Populli i Bjellorusisë doli paqësisht në rrugë dhe autoritetet u përgjigjën me dhunë, dhe kjo nuk mund të pranohet. Së treti, ne jemi të gatshëm të shoqërojmë tranzicionin demokratik paqësor të pushtetit në Bjellorusi”, shprehet shefja e Komisionit Europian.
“Jemi të gatshëm të angazhohemi në të gjitha mënyrat e mundshme për të ndjekur nga afër tranzicionin paqësor demokratik të pushtetit në Bjellorusi. Ne mbështesim hapjen e dialogut midis autoriteteve dhe opozitës. Dhe kishte një mbështetje të fortë për një rol të OSBE-së. OSBE-ja mund të kërkojë mënyra për të lehtësuar dialogun në Bjellorusi. Bjellorusia është anëtare e OSBE-së. Nuk është aq shumë për ndërmjetësimin, por për hapjen e kanaleve të komunikimit brenda Bjellorusisë”, nënvizohet në deklaratën e përcjellë.