Pandemi dhe jo vetëm/ Policia me “normë ditore” për të mbushur arkën e shtetit me gjoba

Edhe pse në fuqi është një ligj që ndalon grumbullimet masive në kuadër të marrjes së masave kundër përhapjes së Covid-19, fakt është se nuk respektohet. Madje, në zonat rurale, ku edhe kontrolli policor është më i paktë se zonat urbane, ka shumë që e shkelin ligjin, por sigurisht që ka edhe më shumë gjoba.

Dëshira e çifteve për një dasmë me miq dhe farefis edhe pse në kohë pandemie dhe tundimi i pronarëve të lokaleve për të shtuar fitimet në dhjetëra raste ka rezultuar më i madh se frika e të dy palëve nga koronavirusi.

Por shkelja e protokolleve të sigurisë ka rezultuar me pasoja financiare për këta të dytët. Të paktën 60 pronarë lokalesh janë gjobitur nga Policia e Shtetit gjatë muajve të fundit, pasi janë identifikuar duke zhvilluar ceremoni martesore apo mortore në ambiente të mbyllura.

Burime të policisë saktësuan se bëhet fjalë për gjoba nga 1 milionë lekë, gati 60 milionë në total, në zbatim të aktit normativ të 15 marsit për marrjen e masave gjatë situatës COVID.

Në më shumë se 10 raste pronarët e lokaleve nuk kanë zënë mend, pasi kanë vijuar punën me dasmat apo vakitë edhe pas gjobës. Pas konstatimit të përsëritjes së shkeljes atyre iu është bllokuar aktiviteti për 6 muaj si edhe kanë marrë gjoba nga 3 milionë lekë.

Sipas burimeve, totali i gjobave të prera nga Policia e Shtetit për pronarë biznesesh apo individë që kanë neglizhuar dhe shkelur protokollet e sigurisë COVID 19 është mbi 70.

Por, ajo që bie në sy nuk ka të bëjë me këta shkelës ligji, por me një “vendim” jo të formës zyrtare për të gjobitur çdo shkelës me masën më të rëndë administrative të Kodit Rrugor. Dhe kjo, jo për shkak të pasojave që vijnë nga shkelja, por për të rritur buxhetin e shtetit me gjoba, të ardhurat ditore prej të cilave janë në shifra të larta.

Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT