Kosova tërhiqet pjesërisht, heq taksën 22€ por jo kushtet për udhëtarët nga Shqipëria

Kosova heq taksën 22 euro të dezinfektimit në doganë për kamionët. Report Tv ngriti shqetësimin e bizneseve që transportojnë mallra në Kosovë, ndërsa kryeministri Edi Rama e cilësoi të çuditshëm këtë vendim. Qeveria e Kosovës vendosi që të pezullonte këtë taksë pas reagimeve politike dhe të bizneseve.
“Pezullohet kontrata për dezinfektimin e mauneve që vijnë në Republikën e Kosovës. Dezinfektimi i kamionëve parashihej në kuadër të masave për luftimin e pandemisë së COVID-19. Nga ky moment importuesit nuk kanë nevojë t’i dezinfektojnë maunet në pikat kufitare” njoftoi ministria e Brendshme e Kosovës.
Por problem mbetet kalimi i qytetarëve nga Shqipëria në anën tjetër të kufirit të Kosovës. Sot Shqipëria rihapi kufijtë tokësorë pas mbylljes prej muajit mars për shkak të pandemisë. Rihapja e kufijve bëri që shumë qytetarë të nisen drejt Kosovës, Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi, por jo gjithçka shkoi sikur e kishin planifikuar për shkak se hasën një surprizë të pakëndshme.
Pavarësisht se qeveria rihapi kufijtë, shqiptarët janë lejuar që të kalojnë lirisht pa asnjë pengesë vetëm në drejtim të Malit të Zi. Për të kaluar në Kosovë qeveria e kryeministrit në detyrë Albin Kurti vendosi dy kushte; e para të tregojnë tamponin që ka bërë dhe kanë rezultuar negativë, jo më i vjetër se katër ditë dhe e dyta nëse nuk kanë bërë testin, të pranojë që nëse kalojnë kufirin të bëjnë 7 ditë karantinë të detyrueshme.
Vendimi është marrë nga qeveria e Kosovës mbrëmjen e djeshme duke i kapur në befasi qytetarët shqiptarë dhe është në fuqi deri në datë 20 qershor. Vendimi i qeverisë Kurti i ka kapur në befasi qytetarët nga Shqipëria dhe jo vetëm, pasi pala kosovare në doganë është shprehur se mëngjesin e sotëm janë njohur me urdhrin për masat e reja. Kjo ka bërë që shumë qytetarë shqiptarë që u nisën drejt Kosovës të ktheheshin duke shkaktuar radhë të gjatë në pikën doganore.
Ndërkohë që situata vijon që të mbetet e pandryshuar përsa i përket Greqisë dhe Maqedonisë, vende që nuk i kanë hapur kufijtë normalisht si përpara pandemisë. Greqia e hap normalisht kufirin me Shqipërinë në 15 qershor. Në pikën kufitare të Kakavijës me Greqinë prej mesnatës hynë mbi 60 shqiptarë, kryesisht këmbësorë dhe pak me automjete.
Drejt Greqisë kalojnë vetëm shqiptarët me nënshtetësi greke dhe punëtorët sezonalë pas kontratës, ndërsa të tjerët ashtu si në rastin e Kosovës duhet të tregojnë tamponin që tregon nëse je apo jo negativ me COVID-19, raporton gazetari i Report Tv Piro Nase. Nëse ata nuk e kanë bërë, atëherë duhet ta kryejnë nën koston prej 120 euro në Greqi dhe mund të lëvizin të lirë apo të punojnë atje ose të kthehen.
Në pikat kufitare me Maqedoninë sot është lejuar dalja e qytetarëve nga territori i tyre, por jo hyrjet nga Shqipëria edhe pse pala shqiptare ne të 3 pikat doganore të juglindjes ka rifilluar punën normalisht. Në doganën e Qafë Thanës, lëvizjet kanë qenë të pakta ndërsa studentët dhe punëtorët sezonale kanë qenë të parët që janë kthyer në atdhe pas bllokimit në Maqedoninë e Veriut për shkak të Pandemisë.
Burime nga dogana bëjnë të ditur se kufiri do të jetë i hapur për maqedonasit që duan të kthehen në vendin e tyre, ndërsa deri në këto momente nuk ka një urdhër të dyte sa i përket daljeve nga Shqipëria drejt Maqedonisë. Pra pavarësisht se Shqipëria sot rihapi kufijtë, shqiptarët lirshëm mund të shkojnë vetëm në Malin e Zi.